Policia e Shtetit iu ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes ndaj disa mesazheve dhe linqeve të rreme që imitojnë faqen zyrtare të institucionit dhe kërkojnë pagesa të rreme për gjoba automjetesh.
Sipas Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik, këto faqe përdorin simbole, imazhe dhe elemente grafike që ngjajnë me ato zyrtare, duke synuar të mashtrojnë qytetarët.
Linqet e dërguara i çojnë përdoruesit në një faqe jozyrtare, me domain aspalgov.cyou, ku fillimisht kërkohet konfirmimi i identitetit përmes numrit të telefonit, më pas numri i targës së automjetit dhe në fund të dhënat bankare, me pretendimin e pagesës së gjobës.
Policia sqaron se ky është një rast mashtrimi, me qëllim vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare.
Njoftimi i plotë:
Apel për kujdes nga faqe mashtruese që imitojnë Policinë e Shtetit dhe kërkojnë pagesa të rreme për gjoba automjetesh.
Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik informon qytetarët se së fundi është konstatuar qarkullimi i mesazheve mashtruese (SMS) dhe lidhjeve të rreme (linke), të cilat imitojnë faqen zyrtare të Policisë së Shtetit dhe synojnë mashtrimin e qytetarëve, nëpërmjet kërkesave për pagesa të pretenduara të gjobave të automjeteve.
Lidhjet e dërguara çojnë drejt një faqeje të rreme, e cila në pamje të parë paraqitet si faqe zyrtare e Policisë së Shtetit, duke përdorur stemën institucionale, imazhe të ndërtesës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe elemente grafike që imitojnë shërbimet emergjente. Në hapin e parë, qytetarëve iu kërkohet të konfirmojnë identitetin, duke vendosur numrin e telefonit celular. Në hapin vijues, faqja kërkon numrin e targës së automjetit, ndërsa në fazën e fundit iu kërkohet plotësimi i të dhënave bankare, me pretendimin për kryerjen e pagesës së gjobës.
Policia e Shtetit sqaron se kjo faqe nuk është faqe zyrtare, pasi përdor një adresë interneti të rreme (domain: aspalgov.cyou), e cila nuk i përket asnjë institucioni shtetëror.
Ky rast përbën një tentativë mashtrimi kibernetik (phishing), me qëllim përfitimin e paautorizuar të të dhënave personale, numrave të telefonit, të dhënave të automjeteve, të dhënave bankare, PIN-eve dhe kodeve të aksesit në llogari online, duke i ekspozuar qytetarët ndaj rrezikut të humbjeve financiare dhe abuzimit me identitetin e tyre.
Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik apelon për qytetarët:
-Të mos klikojnë në lidhje të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, email-eve apo rrjeteve sociale;
-Të mos vendosin numra telefoni, të dhëna personale apo bankare në faqe jozyrtare;
-Të kenë parasysh se Policia e Shtetit nuk kërkon konfirmim identiteti apo pagesa gjobash përmes linkeve të dërguara me SMS;
-Të verifikojnë çdo informacion vetëm përmes kanaleve zyrtare të Policisë së Shtetit;
-Në rast dyshimi apo mashtrimi, të raportojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit ose Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve të këtyre veprave, në hapësirën digjitale, si dhe fton qytetarët, që të tregojnë kujdes maksimal për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale dhe financiare.



