Haradinaj kujton Masakrën e Izbicës: 147 civilë të vrarë dhe sakrifica që themeloi lirinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar masakrën e Izbicës, e ndodhur më 28 mars 1999, duke e cilësuar atë si një ndër krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Haradinaj theksoi se në këtë ditë tragjike, në fshatin Izbicë, forcat ushtarake dhe policore serbe vranë 147 civilë shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve gra, pleq dhe fëmijë. Sipas tij, kjo masakër ishte pjesë e një plani të organizuar për zhdukjen e popullsisë shqiptare.

Ai rikujtoi gjithashtu se më 28 mars 1999, në kohën kur luftimet zhvilloheshin në shumë zona të Kosovës, forcat e Zonës Operative të Dukagjinit zhvilluan Betejën e Pozharit, ku, sipas tij, armiku pësoi humbje të mëdha. Në këtë betejë u dalluan luftëtarët Elez Geci dhe Maxhun Berisha.

Në të njëjtën ditë, Haradinaj përmendi edhe themelimin e Brigadës 137 në Gjakovë, të cilën e cilësoi si brigadën e parë urbane në Kosovë, e përbërë nga luftëtarë të përkushtuar për çlirimin e vendit.

Duke përfunduar, ai theksoi se sakrifica e të rënëve mbetet themel i lirisë dhe frymëzim i përhershëm për brezat e ardhshëm. /Kosova.info/