Ramush Haradinaj ka kritikuar ashpër qasjen e Albin Kurti ndaj projektit të Autostradës së Dukagjinit duke e cilësuar largimin e saj nga mbështetja financiare si një vendim të gabuar dhe me pasoja për zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas Haradinajt, gjatë qeverisjes së tij ishte bërë një hap konkret përpara përmes projektimit të kësaj autostrade, e cila konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për Kosovën. Ai theksoi se ndalimi i financimit nga Qeveria aktuale nënkupton shtyrje të realizimit dhe humbje të mundësive për qytetarët.
“Ky nuk është vetëm një vendim buxhetor, por një çështje prioritetesh,” ka deklaruar Haradinaj duke shtuar se çdo projektim i përfunduar është bazë për investime dhe zhvillim konkret.
Autostrada e Dukagjinit, sipas tij, do të lidhte disa nga qytetet kryesore të rajonit si Istogu, Peja, Deçani, Gjakova, Rahoveci, Suhareka dhe Prizreni duke krijuar një korridor të rëndësishëm ekonomik, ulur kostot për bizneset dhe rritur investimet.
Në fund, Haradinaj ka ngritur pyetjen pse një projekt me ndikim të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe ekonominë është larguar nga financimi duke theksuar se banorët e Dukagjinit kanë nevojë për realizimin e kësaj autostrade, e jo për arsyetime. /Kosova.info/



